Secondary Adv

Kosovë, Presidentja Osmani dekreton 12 tetorin 2025 si datë të zgjedhjeve lokale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.

“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

 

Caktimi i kësaj date, sipas Presidencës, synon që të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera relevante, “me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor”.

 

Kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor.

 

Presidentja Osmani u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.

 

Më 4 qershor, Osmani ishte takuar me përfaqësuesit e partive politike për t’u konsultuar rreth datës për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale. Në takim nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit. /Ora News


Më të lexuarat